Elsa Lila, një ndër artistet më të dashura për publikun shqiptar, po rikthehet në Tiranë për një koncert madhështor.

Kanë qenë projekte të ndryshme muzikore, televizive, (siç ishte “The Voice of Albania” në Top Channel), festivale (siç ishte dhe ai i një viti më parë ku shënoi suksesin e radhës me “Evita”) që e kanë nxitur të rishfaqet në skenë e në ekran. Por asnjëherë për një koncert të sajin, në të tilla përmasa, të cilin po e përgatit ta sjellë tani.

Siç ka njoftuar vetë Elsa, koncerti titulluar “Finalmente Elsa” do të vijë për publikun më datë 1 nëntor, në Pallatin e Kongreseve për të shënuar kështu të parin recital të saj.

“Ika me shijen e suksesit të “Evitës” sime në festival, për t’u rikthyer sërish në Tiranë, tani në nëntor. Këtë herë, për herë të parë 😉me një koncert të madh, aty në skenën e Pallatit të Kongreseve, nga ku nisi jeta ime artistike”, shprehet Elsa e cila tutje tregon se “Finalmente Elsa” i thotë të gjitha: kohën e gjatë që ka pritur për të ardhur ky moment; punën e madhe që ka bërë deri më sot, për t’u ndjerë kaq gati, për një koncert si ky, që kërkon jo vetëm përkushtimin por dhe pjekurinë e repertorin e duhur artistik.

“S’do t’ja dilja dot kurrë vetëm, pa bashkëpunëtorët e miqtë e mi artistë, me të cilët kam krijuar, interpretuar e realizuar në gjithë këto vite, projekte unike, interesante e me muzikë të vërtetë.

Këtë do të bëjmë edhe në koncertin e 1 nëntorit, në Tiranë.

Ju mirëpres që të më jepni zemrën dhe duartrokitjet tuaja, siç keni bërë gjithmonë, ndërsa unë ju kam dhënë zërin e shpirtin tim”, shkruan Elsa. / KultPlus.com

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *